Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore te spitali COVID-2, koncert për mjekët dhe pacientët

Një pamje emocionuese ka ardhur sot nga spitali COVID-2 në Tiranë. Mjekë dhe pacientë kanë harruar për disa minuta COVID-in dhe kanë dalë në ballkone duke shijuar muzikën popullore. Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore mbajti një koncert për ta, në shenjë falenderimi për bluzat e bardha, heronjtë e ditëve të sotme, por edhe për pacientët për t’i dhënë pak shpresë në betejën e tyre të vështirë me virusin.
Këngëtarët kanë performuar në oborrin e këtij spitali dhe muzikës së tyre nuk i kanë rezistuar as pacientët të cilët, me ndihmën e mjekëve kanë dalë në ballkone për të shijuar tingujt e këngëve popullore. Për mjeken, një koncert i tillë theu akullin e pandemisë.
Na bënë të thyejmë akullin e pandemisë dhe të shohim me kurajo drejt jetëve të shpëtuara, uroj që kjo muzikë të ketë depërtuar thellë në shpirtrat e të gjithë njerëzve veçanërisht të pacientëve dhe të shtojë kurajon për ta përballuar këtë situatë”, tha mjekja, e cila i dhuroi dhe një buqetë me lule këngëtarëve.
“Faleminderit jeni heronjtë tanë, respekt”, iu përgjigj këngëtari mjekes.
Ky koncert ofron një pamje krejt tjetër të spitali COVID-2, në një kohë që nga ky i fundit janë raportuar muajve të fundit lajme tragjike të pacientëve që kanë zgjedhur t’i japin fund jetës duke u hedhur nga ballkonet.