“Antikorrupsioni”, Xhafaj: Nisim konsultimet publike, gjithëpërfshirja shkon përtej grupeve politike

TIRANË, 28 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj njoftoi sot nisjen e një procesi të gjerë konsultimi gjatë muajit nëntor, i cili do të fokusohet në fushën e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Gjatë një konference për shtyp, Xhafaj u shpreh se në organizimin e tryezave tematike publike për çështje të përcaktuara nga vetë grupet e ekspertëve, do të ftohen të marrin pjesë grupet e interesit nga bota akademike, shoqëria civile, komuniteti i biznesit etj.
Sipas tij, në total do të organizohen rreth 12 tryeza të tilla ndërsa do të organizohen po ashtu edhe forumet e dialogut qytetar në nivel vendor, me fokus parandalimin e korrupsionit.
“Drafti paraprak do të konsultohet me grupet e interesit për t’u njohur me këndvështrimet e tyre si dhe me ekipin e negociatorëve të BE-së për fushat respektive, për të vlerësuar gjetjet e këtij dokumenti në kuadrin e angazhimeve të shtetit shqiptar për negociatat dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare”, tha Xhafaj.
Xhafaj bëri të ditur se në përfundim të këtij procesi të gjerë konsultimi, gjetjet dhe propozimet e përmbledhura do t’i jepen grupeve të eksperteve për t’i reflektuar në draftin që ndodhet në proces. “Në përmbyllje të këtij procesi drafti i kalon komisionit për shqyrtim dhe më pas parlamentit”, tha ai.
Xhafaj theksoi se në këtë proces janë përfshirë ekspertë vendas dhe të huaj. “Kemi një grup ekspertësh të nivelit të lartë në përbërje të së cilit janë 70 ekspertë të propozuar nga bota akademike, shoqëria civile dhe organizatat e komunitetit të biznesit”, shtoi Xhafaj.
Xhafaj theksoi se ky është një proces gjithëpërfshirës, ndërsa iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve mbi mungesën e përfaqësuesve të opozitës në këtë proces.
“Kur flasim për proces gjithëpërfshirës do të ishte gabim ta konsideronim të ngushtuar vetëm te gjithëpërfshirja partiake. Koncepti i gjithëpërfshirjes është shumë i gjerë, shkohet përtej grupeve politike. Flasim për botën akademike, shoqërinë civile, grupet e interesit, komunitetin e biznesit etj. I vetmi grup që mungon është PD. Ata kanë zgjedhur një qëndrim të tyre në këtë çështje si dhe në komisione të tjera. Ndërkohë që ata i kanë vendet e tyre në këtë komision, por po veprojnë njësoj siç vepruan kur u hartua Reforma në Drejtësi që munguan për 1 vit rresht”, tha Xhafaj.
1 nga 3/r.e/a.f/