E Diel, 1 Nëntor 2026

Antonio Kosta: Topi në anën serbe! Presidenti i Këshillit Europian viziton Beogradin: Vuçiç të bëjë kujdes me Rusinë

Presidenti i këshillit Europain Antonio Kosta ka nisur turin në Ballkanin Perëndimor nga Serbia këtë të martë, ku u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç, vetëm pak ditë pasi ky i fundit vizitoi Moskën.

Në qendër të bisedës ishin reformat e Serbisë dhe marrëdhëniet me Prishtinën dhe me Moskën, të cilat janë kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Topi tani është në pjesën e Serbisë dhe ju lutem mos humbim kohë, sepse e ardhmja nuk do të presë”, tha Antonio Kosta.

Për sa i përket vizitës së Vuçiçit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Kosta tha se Vuçiçi i  shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike të së shkuarës.

“Por, në të tashmen, Serbia është plotësisht e angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi një harmonizim të plotë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, shtoi Presidenti i këshillit Europain.

Ndërsa Vuçiç kërkoi mirëkuptimin e BE për veprimet e tij.

“E kuptoj plotësisht shqetësimet e tyre për shkak se nuk kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, por Serbia ka qëndruar shumë parimore që nga fillimi i konfliktit. Ashtu siç mbështesim integritetin tonë territorial, ashtu mbështesim edhe integritetin territorial të vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën”, tha ai.

Pas Serbisë, shefi i Këshillit të Europës do të vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit për të mbërritur në datën 15 në Tiranë, për Samitin e Komunitetit Politik Europian.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›