E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet takimi Xi - Klinton në Pekin

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se presidenti i mundshëm i ardhshëm i Kinës Xi Jinping ka anuluar një takim me Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton sot në Pekin.

Zyrtari tha se takimi u anullua "per arsye të ndryshimit të papritur të planit," duke shtuar se z. Xi kishte anuluar edhe takimet e tij me kryeministrin e Singaporit dhe me një zyrtar rus, të planifikuara për të mërkurën.

Sekretarja Klinton u takua sot më herët me presidentin aktual të Kinës Hu Jintao dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Pekin, për bisedime që pritet të mbizotërohen nga mosmarrëveshjet territoriale të Kinës mbi Detin e Kinës Jugore.

Pas mbërritjes në kryeqytetin kinez të martën vonë, Znj. Klinton u takua me homologun e saj kinez Yang Jiechi.

Znj. Klinton dëshiron që Pekini të punojë me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore për të parandaluar konfliktet territoriale nga përshkallëzimi në Detin e Kinës Jugore me burime të pasura.

Sekretarja Klinton tha se marrëdhëniet amerikano kineze janë një pjesë e rëndësishme e politikës së administratës Obama për rritjen e angazhimit amerikan në rajonin e Azi-Paqësorit.

"Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një partneritet bashkëpunues me Kinën. Ky është një aspekt kyç i ribalancimit tonë në Azi-Paqësor."

Kina pretendon pothuajse tërë detin dhe kundërshton hyrjen në negociata shumëpalëshe, ku vendet e vogla anëtare në ASEAN do të kishin ndikim më të madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›