Apel për më shumë besim, Kardinali Troshani: Të ruajmë vlerat shpirtërore në kohët modern

Në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër u kremtua Mesha e Shenjtë, e udhëhequr nga Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani.
Gjatë fjalës përpara besimtarëve, Kardinali Troshani përcolli mesazhe për ruajtjen e besimit dhe të vlerave shpirtërore.
Ai u shpreh se shoqëria e sotme po përballet me ndikimin gjithnjë e më të madh të materializmit dhe modernizmit, duke u larguar nga vlerat njerëzore dhe fetare.
“Vëllezër dhe motra, jetojmë në një epokë ku shumë dukuri të botës moderne – materializmi, modernizmi, pasuria dhe format e tjera të mëkatit – shpesh na largojnë nga ligji i Zotit. Këto dukuri kanë ngulur rrënjë të thella në shoqëri, duke ndezur zjarrin e epshit dhe të imoralitetit. Por, pavarësisht zhvillimeve anatomike, fiziologjike apo embriologjike, duhet të kujtojmë se shpirti është ai që i jep kuptim trupit. Trupi me aparatet e veta funksionon, por pa shpirtin e pavdekshëm mbetet i zbrazët. Shpirti është fryma e Zotit brenda nesh, dhe vetëm kur e ushqejmë me dashuri, lutje dhe besim, arrijmë të jetojmë të plotë. Prandaj, le të bashkohemi pranë Krishtit. Le të shkëputemi nga të gjitha format e seksit të shfrenuar, imoralitetit, dhe mëkatit që na robërojnë. Le të ndjekim thjeshtësinë dhe shenjtërinë, duke ndjekur shembullin e shenjtëve që jetuan me përulësi dhe dashuri.”- u shpreh ERNEST SIMONI TROSHANI Kardinal i Kishës Katolike
Në liturgjinë e shenjtë morën pjesë qindra besimtarë, të cilët u bashkuan në lutje dhe ndoqën me vëmendje mesazhet e përcjella nga Kardinali.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/