E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli: Burg për grupin e kokainës! 10 anëtarët e organizatës trafikuan drogë të shkrirë në lëkurë gjedhësh

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë dhënë nga Shkalla e parë për 10 anëtarët e grupit kriminal në lidhje me trafikun e kokainës së fshehur në lëkurat e kafshëve.

Togat e zeza nuk kanë pranuar ankimin e të arrestuarve për t’i dhënë atyre një masë më të butë, duke i lënë në qeli.

Në këtë operacion në mes të arrestuarve ishin dhe 3 të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian, persona që kishin si rol ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.

Gjatë aksionit të policisë me urdhër të SPAK, u gjet një sasi e madhe kokaine e shkrirë në lëkurë gjedhi që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës. Lëkurat e bagëtive i janë nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë lëndë narkotike do të përfitonte grupi kriminal.

Në nëntor të këtij viti u gjetën 850 lëkura të kriposura bagëtish në të cilat ishte fshehur kokainë. Ishin ndërkombëtarët ata që njoftuan autoritetet shqiptare pasi kishin informacion për drogën që ishte nisur nga Amerika Latine drejt vendit tonë.

Jo vetëm në Qerekë të Fushë-Krujës, por kontrolle u kryen edhe në disa vila në rezidencën “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, pasi kishte dyshime se mund të jenë përdorur si bazë për fshehjen e kokainës./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›