Apeli i jep vulën e PD Sali Berishës, merr fund beteja ligjore me Lulzim Bashën, demokratët kritikë ftohen të rikthehen në seli

Beteja 3 vjeçare e demokratëve nëpër dyert e gjykatave mori fund dhe nga sot Sali Berisha është ligjërisht kryetar i Partisë Demokratike. Gjykata e apelit rrëzoi ankimin e Enkelejd Alibeajt, duke lënë ne fuqi vendimin e shkallës së parë të dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri që njeh si të ligjshëm kuvendin e organizuar nga lideri historik i demokratëve Sali Berisha në 11 dhjetorin e vitit 2021.
“Sot Shqipëria ka një PD të vërtetë. Sot Shqipëria ka një opozitë të bashkuar. Një opozitë të bashkuar që do i japë zë”, tha sekretari i PD Flamur Noka.
Vendimi i apelit është i formës së prerë dhe pavarësisht se betejat gjyqësore brenda PD mund të vazhdojnë; ka pak gjasa që deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ketë një vendim të ndryshëm gjyqësor.
Ndaj pasi të zbardhet vendimi i tre gjyqtarëve; Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro gjykata e shkallës së parë, e cila mban regjistrin e partive politike duhet të reflektojë situatën e re ligjore brenda partisë më të madhe të opozitës.
Gjykata duhet të ç’regjistrojë Lulzim Bashën dhe të vendosë në regjistrin e partive politike, Sali Berishën si kryetar të PD.
Nga ky moment selia e PD në Tiranë dhe ato në rrethe i përkasin Sali Berishës, fondet që shteti i jep PD e që deri dje i ka marrë Lulzim Basha i kalojnë Berishës; komisionarët e numëruesit në zgjedhje i takojnë Sali Berishës dhe po ai do të ketë emrin në fletën e votimit si kryetar i Partisë Demokratike.
Vendimi i gjykatës së apelit i dha fund një beteje të ashpër brenda demokratëve që nisi në 9 shtatorin e vitit 2021 kur Lulzim Basha vendosi të përjashtojë liderin historik të demokratëve Sali Berishën nga PD, pas shpalljes non grata nga SHBA.
Asokohe Sali Berisha nisi lëvizjen foltorja në bazën e PD dhe fitoi mbështetjen e shumicës së demokratëve. Në 11 dhjetorin e vitit 2021 në kuvendin e thirrur nga lideri historik i demokratëve, u shkarkua Lulzim Basha, u miratua statute i ri i PD dhe u në krye të kësaj force politike u vendos komisioni i Rithemelimit.
Basha nga ana e tij mblodhi një tjetër kuvend në 18 dhjetorin e 2021 ku përjashtoi nga partia Sali Berishën. Përplasja mes Sali Berishës e Lulzim Bashës kulmoi me një prej ngjarjeve më të renda për çdo demokrat; përplasjen në selinë e PD në datën 8 janar të vitit 2022.
Pas këtij moment Sali Berisha ndoqi një tjetër strategji për të treguar se ai përfaqëson shumicën e demokratëve; ai garoi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe fitoi bashkinë e Shkodrës ndërkohë që Basha doli forca e tretë politike në vend.
Pas humbjes Basha dha dorëheqjen dhe përkohësisht u tërhoq nga politika aktive; ndërsa Sali Berisha u rikthye në selinë e PD.
Berisha fitoi betejën gjyqësore për logon e PD në shkallën e parë, por e humbi në apel dhe u detyrua të garonte në zgjedhjet lokale me emrin e Ilir Metës dhe lëvizjes socialiste për integrim.
Sot Sali Berisha fitoi betejën përballë Lulzim Bashës, por nga nesër kryetari i PD Sali Berisha, politikani që ka dominuar këtë forcë politike për 3 dekada duhet tu tregojë demokratëve se mund ti udhëheqë ata drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare përballë kryeministrit Edi Rama./vizionplus.tv