E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli lë në burg Ilir Metën, Kryemadhi: Provat e SPAK nuk qëndrojnë, do të bëj disa kallëzime

Ilir Meta do të qëndrojë në qeli edhe me vendim të Apelit të Posaçëm. Gjykata la të pandryshuar vendimin e shkallës së parë si për të ashtu, edhe për Monika Kryemadhin në një seancë që zgjati gati shtatë orë. Deputetja u shpreh e zhgënjyer nga drejtësia, ndërsa gjetjet e SPAK, i quan fëminore.

 “Ajo që është e re e gjithë kësaj gjëja, prokurorët ishin të papërgatitur përballë fakteve që unë dje kam parë nga fashikujt e letërporosive nga SHBA dhe Çekia dhe Austria. Theksoj se sigurisht se metodologjia e prokurorëve ishte në nivelin e një studentit të vitit të parë të juridikut. Argumentimet ishin shumë qesharake dhe të bazuara në falsifikim. 34 fashikujt që pashë rezultojnë falsifikime me keqdashje për çështjen 122 dhe CEZ DIA. Dua të theksoj se hetimet financiare janë manipuluar deklarimet e pasurive tona që do i sqaroj nesër”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër ajo saktësoi se ndarja nga Ilir Meta është një herë e përgjithmonë. Por nuk është ende e  vendosur nëse do të mbetet apo jo në politikë.

“Nuk merrem më me politikë po do merrem me sensibilizimin e opinionit publik kundër luftës së tretë botërore, që është fake neës. Nuk mendoj se do kandidoj…. Unë nuk i kam kërkuar takim me Ilir Metën. Marrëdhënia ime bashkëshortore me Ilir Metën ka mbaruar. Nuk ka më kthim prapa. Do të bëj disa kallëzime shumë të bukura”, shtoi Monika Kryemadhi.

Genc Gjokutaj, avokati i ish- presidentit Meta, tregoi se hapi i radhës do të jetë rekursi në Gjykatën e Lartë.

“Ka dalë fjala e tij, i është përmbajtur fjalës së dalë, shpjegoi rrethanat e faktit, absolutisht nuk sulmoi. Një politikan, lider i opozitës që futet në burg, sigurisht do trajtojë edhe elementët politikë, por shpjegimi ka qenë shterues. Patjetër do i drejtohemi Gjykatës së Lartë, kjo është rruga, t’i shterojmë të gjitha, deri edhe ato Ndërkombëtare, por t’i kalojmë të gjitha shkallët këtu dhe më pas më tej”, tha Genc Gjokutaj.

Kryemadhi dhe Meta akuzohen për Korrupsion, Pastrim Parash e Mosdeklarim të ardhurash. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›