Apeli vendos për Veliajn në 11 mars, kryebashkiaku: Kush vret s’paraqet rrezikshmëri, kush punon futet në burg

Data 11 mars do të vendosë për fatin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, nëse izolimit të tij në burg do t’i vijë fundi apo jo. Do të jetë gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, ai që do të ketë në duar vendimmarrjen ndaj tij, nëse kushtet janë në favor të lirimit të Veliajt nga arresti në burg ose jo.
Por përpara se të caktohej kjo datë, Veliaj bëri një tjetër reagim nga qelia e paraburgimit të Durrësit, ku po mbahet me vendim të Gjykatës së Posaçme prej 24 ditësh. Sërish ai u tregua i ashpër ndaj këtij verdikti të gjykatësit Erion Bani dhe prokurorit që e ka hetuar, Ols Dado.
Erion Veliaj: Pendohu qen! Pra, Zeni, që poqi të gjallë 26 veta, dhe babi i Zenit, që vrau 4 veta me plumba në mish, nuk paraqesin rrezikshmëri. Kurse ai që mbjell pemë, hap korsi biçikletash, ndërton shkolla e parqe, duhet futur në burg se ka rrezikshmëri. Fiks stereotipi se po punove, luftove e le vepra që prodhojnë fitore të skuadrës tënde, do sulmohesh gjer në dorëzim, sa të thuash “s’ka fat i miri”. “Pendohu sa nuk është vonë, se të kalbëm në burg”. Ky është turp, por jo drejtësi!
Erion Veliaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka kryer korrupsion, duke përdorur fondet e bashkisë së drejtuar prej tij.
Njëherësh, SPAK ka pretendimin se krytari i bashkisë së kryeqytetit, ia ka vënë paratë publike në dispozicion gruas së tij, Ajola Xoxa, duke e rënduar pozitën e tij përballë ligjit edhe me dyshimin se ka kryer pastrim parash. Bashkëshortja e tij, po ashtu nën hetim mendohet edhe se ka fshehur origjinën e parave.