Aplikimi për përfitimin e pagesës së papunësisë, tashmë nëpërmjet e-Albania

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se aplikimi për përfitimin e pagesës së papunësisë, tashmë mundësohet nëpërmjet platformës e-Albania.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se aplikimi kryhet pa asnjë dokumentacion shoqërues, ndërsa koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 7 ditë.
Zyra e punës ku qytetari ka gjendjen civile informon nëpërmjet llogarisë në e-Albania dhe e-mail mbi statusin e kërkesës.
Shërbimi elektronik: kërkesë për përfitimin e pagesës së të ardhurës nga papunësia, i dedikohet të gjithë personave të cilët kanë humbur vendin e punës për arsye të shkurtimit të vendit të punës, ristrukturimit të kompanisë apo arsye të tjera që nuk varen nga ta.
Në tremujorin e katërt 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, ishte 10.7 %.
Numri i të papunëve gjithsej u ul me 1.2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, dhe është rritur me 0.2 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
1 nga 3/r.e/