E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apologji p

• Mirela KumbaroO Tmerr! Si mund të jetojmë për së gjalli të tilla tragjedi!  Vajzës së vogël nuk i lëvizte as qerpiku kur tregonte skenën makabre të vrasjes së të atit prej nënës. Nuk i munguan fjalët për të treguar dhunën «me thikën në fyt», që ai kishte ushtruar prej vitesh mbi të mbi vëllezërit, motrat e mbi vetë nënën dhe që ajo kurrë s’e kishte kuptuar, «ku e di unë se ça kishte ai me ne! »… Aq sa dukej se më shumë ishte çliruar nga hapja me duart e veta të varrit të të atit («më shumë e hapa unë, se mami nuk kishte fuqi», e si mund të kishte!) se sa ishte tmerruar nga gjaku i përhapur mbi shpinën e gomarit me të cilin kishte transportuar bashkë me gruan vrastare kufomën. Ajo nuk e dinte se po ilustronte kështu thënien e mbarëprovuar: «Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund».Por, ajo dridhej e tëra pazëshëm kur nëna duhej t’i nënshtrohej drejtësisë. Krahët e vegjël, boll të fuqishëm për të hapur varrin e ndëshkimit, ishin tmerrësisht të dobët për të shtrënguar aq fort nënën sa të mund ta shpëtonin nga prangat. Portreti i dyzetvjeçares, por që dukej të paktën njëzet vjet më e plakur, ishte i ngërçur nga një tmerr që nuk fliste për pendim të krimit, por për dhimbjen e braktisjes së fëmijëve. Thua se ishte e bindur që kishte vrarë në emër të jetës… Nuk më shkon ndërmend të pretendoj se lotët e së parriturës (ajo është vetëm 12 vjeçe) duhet të ndërhyjnë në punën e drejtësisë. Por nuk mund të mos imagjinoj se ç’ferr duhet të ketë qenë jeta e asaj familjeje, ku varfëria dhe injoranca prodhuan pashmangshmërisht dhunues, vrasës, bashkëpunëtorë të pandërgjegjshëm në krim dhe vrasës potencialë të ardhshëm.Por ky nuk ishte veçse akti i parë i tragjedisë së familjes nga Baldushku i Tiranës, theksoj i Tiranës! në të cilën jetojmë duke e identifikuar qorrazi dhe meskinërisht me bllokun. Sa prej nesh do të kujtohen nesër për fatin e atyre fëmijëve që mbetën lemerisht vetëm në atë prag të mjerë, pasi uniformat blu iu kthyen shpinën për të hipur në furgon nënën e tyre në pranga? Nuk e di… Por nuk duhet të bëjmë sikur çuditemi nesër, kur të dëgjojmë se një vajzë të re në fshatin B… e rrëmbyen për ta trafikuar përtej brigjeve… as kur të shohim në kronikën e zezë një portret jo të panjohur të një djaloshi, të arrestuar në flagrancë, tek po vidhte në rastin më të mirë, në mos duke kryer një vrasje të paralajmëruar në periferi të kryeqytetit…A është e nevojshme që pas këtij vaji (se kur ndodh gjëma veç vaji na ngelet…) t’i kujtojmë Shtetit, por edhe OJQ–ve, që në mos ishin aty kur fatkeqi dhunonte mizorisht vrasësen e tij të ardhshme dhe pjellët e veta, të rendin tani për të mos e lënë këtë “reality show” në rrjedhën më të keqe të fatit?botuar më 17 prill 2007 në gazetën Panorama5 janar 2008Nëntë muaj kaluan nga dita kur duarprangosur Aishe Pojana la në pragun e kasolles së saj pesë jetimët. Aq sa duhen për të sjellë në dritë një jetë të re! Nëntë muaj iu desh vajit që u mbars kur Migena 12-vjeçare ndau me kamerat e televizioneve shqiptare fatin tragjik të familjes së saj, e na mbyti sytë e shpirtin pranverën e kaluar.Pa dyshim, imazhet televizive të syve të Migenës që s’kërkonin gjë tjetër nga Plaku i Vitit të Ri, veç të shihnin nënën, e bënë edhe kësaj radhe efektin e tyre mbi publikun në ditën e fundit të vitit. Asaj i foli shpirti inteligjent që i ka dhënë natyra, pa e ditur se do shkaktonte mallëngjimin e nevojshëm për të mobilizuar në këtë atmosferë festash, emocionet që do të mbushnin pesë herë helikopterin e Ministrisë së Brendshme me ushqime e veshje që qytetarët dhuruan bujarisht, që do të shtynin kanalin Top Channel ta pasuronte me bamirësi misionin e vet informativ, që do të na preknin deri në dhembje duke na bërë, madje, të na vrasë dhe ndërgjegjja për harresën tonë. Nëntë muaj iu desh dhe shtet/politikës për të mësuar ku ishte Baldushku?! Në një moment, ma do mendja më shumë prej nëne se sa prej pushtetareje, kryetarja e Kuvendit përdori pozitivisht pushtetin për ta nxjerrë pak orë prej burgu gruan fatkeqe sa për t’i dhënë realisht jetë fëmijëve nëntë muaj malluar. Nën të njëjtat emocione, disa politikanë nxituan të interesohen për atë kasolle…. Mirë bënë, po ç’bënë? Shkarkuan helikopterin që do t’u mbajë frymën disa javë a disa muaj pesë viktimave që kanë vite që s’mbushin dot barkun. U përpoqën t’u japin zemër familjes ku mungesa e dashurisë shpuri në krim. Po me këtë rast u kujtuan të braktisurve se jetojnë në një shtet, ndonëse shtetin e njohën veç kur u vuri prangat. Por ishte dhe një moment i bukur kur mjeranët zbuluan se ekziston dhe një solidaritet njerëzor, ndonëse fisi, katundi, komuna, deputeti (meqë ra fjala ku dreqin e kush dreqin ishte deputeti i zonës?!) i kishin braktisur prej kohësh…Këtu filmi mbaroi. Tani kthehemi në jetë. Të gjithë ne iu kthyem tryezave tona, fëmijëve tanë, qejfit tonë të ndërrimit të viteve, madje edhe me ndjesinë se para se të nisnim vitin e ri kryem nga një akt bamirësie e mund ta bëjmë gjumin e qetë paskëtaj… Shshsht, Migena! Shsht gjithë Migenat e Shqipërisë! Shshsht gjithë fëmijët që u janë kyç nënat në burg, që u janë vrarë baballarët nëpër prita gjakmarrjesh, që u janë ther motrat para syve! Shshsht! Shteti po fle…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›