E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Arbëria në kufijtë e mbijetesës” promovohet në Gjirokastër

Historiani Gjet Ndoj prezantoi sot në Gjirokastër librin e tij të fundit “ARBËRIA në kufijtë e mbijetesës. .. Edhe Europa në rrezik nga Orienti!”. Në 732 faqet e këtij botimi të apasionuarit pas historisë do të njihen me objekte të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar,të cilat kryesisht janë të dëmtuara e të shkatërruara,por që pavarësisht kësaj,ruajnë akoma fuqinë për të dëshmuar. Janë fakte historike të panjohura më parë, ose të anashkaluara nga historiografia e periudhës së komunizmit,madje edhe pas saj.

“Është një histori e Shqipërisë në periudhën paraotomane, një histori mirëfilli europianizmi, një histori që shqiptarët e kanë themelin e tyre europian. Janë 22 kapituj që në mënyrë kronologjike trajtojnë gjithë historinë e Arbërisë Mesjetare. Ajo histori fatkeqësisht gjendet shumë pak në arkivat tona sepse periudha paraosmane është pjesë e arkivave të Vatikanit, Napolit, Aragonës, Venedikut. Ky realitet historik dhe kulturor shprehet sot nëpërmjet objekteve të trashëgimisë sonë kulturore, siç është kështjella e Gjirokastrës, ajo e Kardhiqit. Adrianopoja është një nga zonat që ka dëshmi nga më të fuqishmet që ndikojnë në identifikimin e kombit dhe racës sonë. Gjirokastra është pjesë unike në trashëgiminë kulturore, është një dëshmi e gjallë e asaj bote që unë kam dash të trajtoj.” – thotë autori.

Nga të pranishmit ky botim u vlerësua si mjaft i rëndësishëm në aspektin kërkimor historik që i mungojnë Shqipërisë.

Gjet Ndoj është një emër i njohur në ambientin e shkencave historike falë produktit të shumtë që i ka sjellë historiografisë tonë me botime të mirënjohura si: “E vërteta mbi shqiptarët”, ”Udha e shqiptarëve;Gjeopolitika, Sistemi rrugor dhe Qytetërimi”,”Gjin Marku dhe lufta”,”Antologji historike/Themele të ruajtura të një shtëpie europiane të shembur”,”Arkivat shqiptare”, por edhe disa botime të tjera si bashkëautor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›