E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbitrazhi i Emergjencës rrëzon kërkesat e VIA-s, nuk pezullon zgjidhjen e kontratës së Aeroportit të Vlorës

Arbitrazhi i Emergjencës ka rrëzuar kërkesat kryesore të kompanisë VIA, koncesionare e Aeroportit të Vlorës, duke mos pranuar pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, më 16 shtator 2026 Arbitri i Emergjencës nxori urdhrin në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga VIA.

MIE bën me dije se janë rrëzuar dy nga tri kërkesat e kompanisë, ndërsa kërkesa kryesore, ajo për pezullimin e zgjidhjes së kontratës dhe të Njoftimit për Zgjidhje, nuk është pranuar.

Si rrjedhojë, sipas ministrisë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.

E vetmja masë e urdhëruar nga Arbitri i Emergjencës është ruajtja e përkohshme e status quo-së. Kjo masë do të jetë në fuqi vetëm për një periudhë afatshkurtër, deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit dhe shqyrtimin e çështjes prej tij.

Arbitrazhi ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e VIA-s që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të detyrohej të merrte pjesë në ndërmjetësim dhe të caktonte një ndërmjetës, si dhe kërkesën për shtyrjen e fillimit të arbitrazhit me dy muaj.

Sipas MIE-së, vendimi i hap rrugë vijimit të menjëhershëm të procedurave përpara tribunalit të arbitrazhit, ku ministria thotë se do të mbrojë qëndrimin e saj.

Në vendim është përcaktuar gjithashtu që VIA të përballojë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaron se do të vijojë me përgatitjen e hapave që pasojnë zgjidhjen e kontratës, duke respektuar masën e përkohshme të urdhëruar nga Arbitri i Emergjencës.

MIE njofton se do ta informojë zyrtarisht VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit të Vlorës ka hyrë në fuqi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›