Arion Sulo në “Trialog”: Kurti e dinte pamundësinë, por shpresoi në aleanca. Tani i takon opozitës të luajë ndryshe

Në emisionin “Trialog” në RTSH 1, nën moderimin e gazetares Alba Alishani, u zhvillua një debat mbi situatën politike në Kosovë dhe pamundësinë e formimit të një qeverie nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas tij, vendi ndodhet në një ngërç institucional që nuk kufizohet vetëm te pamundësia për të ndërtuar një kabinet qeveritar, por shtrihet edhe te zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe te mundësia e balotazhit apo zgjedhjeve të reja.
Analisti Arion Sulo solli një analizë të qartë mbi zhvillimet e fundit, duke theksuar se Kurti e ka ditur prej kohësh se nuk kishte numrat e nevojshëm për të ndërtuar një qeveri funksionale, por ka shpresuar se do të ishte pranë pragut të nevojshëm përmes aleancave të mundshme.
Sipas Sulos, dështimi i së dielës për formimin e qeverisë nuk ishte i papritur.
“Ishte shumë e qartë që Albin Kurti nuk kishte mundësi për të ndërtuar një qeveri pas dështimit të së dielës”, tha ai, duke shtuar se edhe vetë Kurti e ka pranuar në një fjalim të mëvonshëm se problemet nuk kufizohen vetëm te qeveria.
“Jo vetëm qeveria është problem, por problem është edhe balotazhi, zgjedhjet e reja dhe zgjedhja e kreut të shtetit”, citoi Sulo nga deklarata e kryeministrit në detyrë.
Ai kujtoi se për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nevojiten 80 mandate, ndërkohë që “asnjëra palë sot nuk ka 61 mandate për të ndërtuar qeverinë, jo më 80 për zgjedhjen e presidentit”.
Sulo argumentoi se Kurti e ka pasur të qartë këtë situatë edhe para zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, por ka shpresuar se do të arrinte pragun e nevojshëm në bashkëpunim me ndonjë aleat. “Kjo nuk u mundësua dhe dështoi koalicioni, si me AK-në ashtu edhe me LDK-në”, tha ai.
Në përfundim, Sulo theksoi se tani është radha e opozitës që të hyjë në lojë dhe të veprojë ndryshe nga Kurti.
“I takon opozitës tashmë që të futet në lojë dhe të luajë ndryshe nga zoti Kurti”, përfundoi ai, duke lënë të nënkuptohet se skena politike e Kosovës po hyn në një fazë të re.
/rtsh.al/