Arkivat drejt digjitalizimit të plotë, rritet interesi i qytetareve për akses online

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave një pasuri dokumentare që ruan historinë e vendit, por që për shumë qytetarë është edhe një pikë referimi për të zgjidhur çështje konkrete. Arkivi Qendror Shtetëror u ofron qytetarëve dhe studiuesve mundësinë për të kërkuar dhe konsultuar dokumente, si fizikisht në sallën e studimit, ashtu edhe përmes platformave online.
Informacionet që kërkohen më së shumti lidhen me pronësinë, historikun e pasurive dhe dokumentacionin që mund të përdoret edhe në procese gjyqësore. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre kërkesave tashmë mund të kryhet në distancë, përmes shërbimeve online dhe Postës Shqiptare.
Shkak për këtë është bërë puna për digjitalizimin e fondeve arkivore. Deri tani është përpunuar dhe digjitalizuar pothuajse gjysma e dokumentacionit, ndërsa objektivi i institucionit është që procesi të përfundojë brenda vitit 2028.
Por arkivi nuk është vetëm për ata që kërkojnë zgjidhje për çështje pronësie. Salla e studimit frekuentohet edhe nga studentë, studiues dhe kërkues të historisë, të cilët konsultojnë dokumentacionin për punime akademike dhe kërkime shkencore.
“Kërkesat zakonisht janë të llojit me karakter pronësor dhe për të dhëna personale. Ne ofrojmë dy mundësi: njëra nëpërmjet shërbimit postar të Postës Shqiptare dhe tjetra duke u regjistruar në sajtin tonë, ku mund të aplikojnë dhe t’i kërkojnë nëpërmjet sajtit. Risia është se, në dritën e ndryshimeve dhe vëmendjes së veçantë që po i kushton qeveria shqiptare shërbimit ndaj qytetarëve, ne kemi përgatitur dy projektvendime: njëri për uljen e tarifave të shërbimit dhe tjetri për heqjen e disa kufizimeve dhe pengesave që deri tani kanë qenë të detyrueshme. Ka një projekt nga qeveria shqiptare për dixhitalizimin e fondeve arkivore. Ne kemi planifikuar që, me këtë ritëm, brenda dy vjetësh të gjitha fondet arkivore në Arkivin e Shtetit të jenë të dixhitalizuara”, u shpreh Auron Rrokaj, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave.
Ndërkohë, Arkivat vijojnë edhe aktivitetin botues në fushën e historiografisë. Për këtë vit janë përzgjedhur shtatë botime të reja, të cilat do të kalojnë në fazën e kontraktimit, botimit dhe më pas shpërndarjes. Institucioni po punon gjithashtu për ndryshimin e disa rregullave.
Në fokus janë dy projektvendime që synojnë uljen e tarifave dhe lehtësimin e disa kufizimeve, me qëllim që dokumentacioni arkivor të jetë edhe më i aksesueshëm për qytetarët dhe studiuesit. Në këtë mënyrë, Arkivat synojnë të kalojnë nga një sistem i mbështetur kryesisht te kërkimi fizik i dokumenteve, në një shërbim gjithnjë e më të shpejtë dhe të aksesueshëm online.
/rtsh.al/