Armeni, Pashinian tërhiqet, pajtohet me opozitën për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme më 20 qershor

Kryeministri armen Nikol Pashinian, është pajtuar për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme në qershor, në përpjekje për të zbutur krizën politike, të nxitur nga lufta e vjeshtës së kaluar me Azerbajxhanin, për rajonin e Nagorno-Karabakut raporton Radio Europa e Lirë.
Pashinian tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook se, pas bisedimeve me grupet opozitare, është arritur pajtueshmëri që zgjedhjet të mbahen më 20 qershor.
Armenia është përballur me trazira politike prej nëntorit të vitit të kaluar, kur Pashinian nënshkroi një marrëveshje për armëpushim me Azerbajxhanin, të ndërmjetësuar nga Moska, e cila u ka dhënë fund gjashtë javëve të luftimeve në Nagorno-Karabak.
Sipas marrëveshjes, Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet rreth tij, tani janë nën administrimin e Azerbajxhanit, pas kontrollimit për gati 30 vjet nga forcat etnike armene.
Një koalicion i 16 partive opozitare ka mbajtur protesta kundër qeverisë në Jerevan dhe pjesë tjera të Armenisë, duke kërkuar që Pashinian të largohet nga pushteti për shkak të menaxhimit të luftës.
Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje, refuzojnë regjimin azerbajaxhanas.
Ata kanë menaxhuar vetë punët e tyre, me mbështetjen e Armenisë, prej kur trupat ushtarake të Azerbajxhanit dhe civilët azerbajxhanas janë larguar nga ky rajon dhe shtatë distrikte tjera, në luftën që ka përfunduar me armëpushim, më 1994.