E Hënë, 2 Nëntor 2026

Armët bërthamore, Irani bie dakord për raundin e katërt të bisedimeve me SHBA

Irani ka rënë dakord të zhvillojë një raund të katërt të bisedimeve mbi armatimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara.

Bisedimet pritet të mbahen të dielën në Oman, sipas mediave iraniane që citojnë një anëtar të ekipit iranian.

Raundi i katërt i negociatave, i planifikuar fillimisht për 3 maj në Romë, u shty, me ndërmjetësimin e Omanit duke përmendur “arsye logjistike”.

Një burim i njohur me këtë çështje thotë se i dërguari i posaçëm i SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të udhëtojë në Oman për të marrë pjesë në bisedime.

Ndërkaq, negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor iranian po shkojnë drejt një marrëveshjeje, e cila, megjithatë, nuk është shumë e ndryshme nga ajo e vitit 2015, të cilën Presidenti i atëhershëm Donald Trump e kishte përshkruar si “më të keqen në histori”, duke tërhequr SHBA-në prej saj, gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018, thanë për Reuters tetë zyrtarë dhe diplomatë nga të gjitha palët e përfshira në bisedime  .

Administrata Trump dhe iranianët zhvilluan tre raunde bisedimesh muajin e kaluar që synonin arritjen e një marrëveshjeje të re për të frenuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Kujtojmë se Trump e habiti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me vendimin e tij për të filluar menjëherë negociatat me Iranin muajin e kaluar.

Kalimi në negociata me Iranin në prill ishte një tronditje për Netanyahun, i cili kishte udhëtuar për në Uashington duke kërkuar mbështetjen e Trump për sulme ushtarake ndaj objekteve bërthamore të Iranit, vetëm për të mësuar më pak se 24 orë para një konference të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet e SHBA-së me Iranin do të fillonin brenda ditësh, thanë për Reuters katër burime me njohuri për çështjen.

Udhëheqja e Teheranit mbetet e shqetësuar për mundësinë që Netanyahu të nisë një sulm ajror – me ose pa një marrëveshje, tha një zyrtar i lartë iranian i sigurisë.

Megjithatë, raund i katërt i bisedimeve që do të mbahet të dielën synon të parandalojnë Teheranin nga ndërtimi i armëve bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›