Armët e fshehura në një pyll pranë Berlinit, autoritetet gjermane dyshojnë se lidhen me Rusinë

Autoritetet gjermane kanë zbuluar vitin e kaluar një depo armësh të fshehur në një pyll pranë Berlinit, e cila dyshohet se mund të ishte përgatitur për atentate të porositura nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Lajmi është raportuar nga Süddeutsche Zeitung, në bashkëpunim me transmetuesit gjermanë NDR dhe WDR, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara.
Sipas raportimit, në depo janë gjetur pistoleta, ndërsa një nga të dyshuarit është arrestuar në Rumani. Autoritetet gjermane dyshojnë se ai mund të ketë pasur rol në krijimin dhe organizimin e vendstrehimit të armëve.
Prokuroria Federale gjermane po heton çështjen nën dyshimin për planifikimin e një akti të rëndë dhune që do të përbënte kërcënim për shtetin.
Sipas burimeve të cituara nga mediat gjermane, Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës, inteligjenca e brendshme e Gjermanisë, dyshon se personat që krijuan depon e armëve vepronin me urdhër të shërbimeve ruse.
Në mesin e objektivave të mundshëm, sipas raportimit, mund të kenë qenë drejtues të industrisë gjermane të mbrojtjes, figura të opozitës ruse të mërguara dhe persona që mbështesin Ukrainën.
Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar prej kohësh për rritjen e rrezikut të sabotazheve dhe atentateve të lidhura me Rusinë.
Prokuroria Federale dhe shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme kanë refuzuar të komentojnë publikisht mbi hetimin. Edhe ambasada ruse në Gjermani nuk ka dhënë menjëherë një reagim për raportimet.