Arrestime pas dhunës në protestë, 16 persona në pranga, procedohen penalisht 49 të tjerë

Pas protestës të dhunshme së të martës në Tiranë, 16 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa 49 të tjerë janë proceduar penalisht.
Sipas Policisë, gjatë tubimit të nisur para Ministrisë së Arsimit, grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, pllaka betoni, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të efektivëve dhe institucioneve shtetërore.
Pas veprimeve hetimore, policia arrestoi në flagrancë 16 shtetas, të moshave nga 23 deri në 59 vjeç.
Ata akuzohen për një sërë veprash penale, mes të cilave goditja për shkak të detyrës, kundërshtimi i punonjësve të policisë, prishja e rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimi i pronës dhe shkelja e rregullave për lëndët plasëse e djegëse.
Nga përplasjet mbetën të lënduar gjashtë punonjës policie, ndërsa u dëmtuan kangjellat, muret dhe dritaret e Ministrisë së Arsimit, si dhe sinjalistika rrugore e disa subjekte private.
Incidentet u shtrinë edhe në zona të tjera të kryeqytetit. Në rrugën “Ded Gjon Luli”, protestuesit thyen një prej dyerve të Bashkisë së Tiranës dhe i vunë flakën katit të parë të godinës. Dëmtime u regjistruan gjithashtu në ambiente bankare dhe institucione financiare.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në incidentet e dhunshme.