E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestimi Veliajt, Kadilli: SPAK nuk ka pse të bëjë cirk! Rama po sillet si viktimë

Analisti Fatbardh Kadilli tha se reagimet e kryeministrit, pas arrestimit të Veliajt nxorën nga kuadrati Ramën, pasi shprehej se nuk i komentonte vendimet e drejtësisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Roland Zilin, aktivisti politik deklaroi se kryesocialisti Rama po sillet si viktimë e SPAK.

Sipas Kadillit, Prokuroria e Posaçme rrezikohet nga 2 gjëra, pasi ndjek opinionin publik dhe e dyta sepse bën cirk.

Analisti u shpreh se SPAK godet njëherë majtas, njëherë djathtas, duke krijuar një cirk.

 Intervista e plotë:

Pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Rama kërkoi një drejtësi me standarde. Ju si e shikoni këtë qëndrim të tij në raport me punën e SPAK dhe Gjykatave të Posaçme?

Kadilli: Është një qëndrim që për herë të parë e nxori Ramën nga kuadrati ku e kishte futur veten që nuk komentonte për drejtësinë. Ai (Rama) ka qenë duke i bërë presion drejtësisë. Në të njëjtin stad është arrestuar dhe Meta, pa vendim të formës së prerë. Unë e mbështes pa kushte reformën në drejtësi. Drejtësia funksionon duke respektuar ligjin, por ndjek edhe opinionin publik. Dako ndenji në paraburgim dhe akoma nuk i është mbyllur gjyqi, ka edhe shumë persona të tjerë. SPAK ka fituar shumë autoritet kohëve të fundit, vitin e fundit, por rrezikohet nga 2 gjëra: Ndjek opinionin publik dhe e dyta nuk ka pse të bëjë cirk, pra të godas njëherë majtas njëherë djathtas. Rama po sillet si viktimë e SPAK.

A është koha për një politikë të re penale, duke pasur parasysh se ka pasur shumë kritika për arrestime të shumta, pa shkuar ende ne gjyq?

Kadilli: Në mënyrë absolute. Unë i qëndroj kritikës që i kam bërë SPAK, të mos jenë nën presionin e opinionit publik. Publiku t’i ndëshkojë me votë. Berisha ndenji 1 vit në arrest shtëpie, Meta ka 3 -4 muaj në burg. Gara e SPAK është sa nga çështjet që çon në Gjykatë i fiton në Gjykatë. Publiku vërtetë bën presion se e di që politikanët janë të korruptuar. SPAK duhet t’a bëjë punën pa cirk dhe pa presion.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›