E Martë, 3 Nëntor 2026

Arrestimi i Beqajt, Braçe: PS të mbajë përgjegjësi, peshorja ka humbur ekuilibrin

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ishte i vetmi që i është përgjigjur interesit të medias, pas arrestimit të kolegut dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas tij,  videot me pranga në duar të ish-ministrit Ilir Beqaj nuk janë argument, ndërsa shtoi se “Reforma në Drejtësi për këtë u bë!”

“Me thënë të drejtën kam parë këto lajmet e para, do duhet të kemi informacion më tepër. Videot me pranga në duar nuk bëjnë argument. Duhet të shohim një informacion më të detajuar.”

Duke kujtuar qëllimin e reformës në drejtësi, Braçe theksoi se, reforma në drejtësi për këtë u bë, ne reference të provave dhe fakteve ndaj çdo individi pavarësisht fuqisë politike qe ka.

“Ajo që dua të them është se ende nuk ka asnjë përgjegjës për 21 janarin, për gërdecin kur janë vrarë njerëz dhe nuk janë vjedhur vetëm lek. Cilido që abuzon me ligjin, rruga është e hapur. Në momentin që ka implikime në lidhje me fondet duhen parë shumë seriozisht e të  përmbushim detyrimet që BE vendos për fondet e veta. PS duhet të mbaj një përgjegjësi morale dhe po mban. Kur paraqitemi para një gare elektorale, secili do marri kosto,” komentoi ai.

Më tej ai theksoi se, atje ku ka implikime me fondet e BE duhet parë shumë seriozisht gjërat, qoftë te fondet e bujqësisë apo fondet e tjera të BE.

“PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, patjetër që po e mban një përgjegjësi, kur të paraqitemi para një gare elektorale, patjetër që secili mban kosto. Por, PS është e angazhuar në një proces të thellë reformim me qëllim të adresojë korrupsionin. Peshorja ka humbur ekuilibrin sa herë që merren jetë njerëzish dhe askush nuk mbahet përgjegjës. Drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke nisur nga ngjarjet që kanë shënjuar në këtë vend. Këtu është marrë jeta e njerëzve edhe për të vjedhur dhe prapë s’ka reagime.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›