Arrestimi i Kajmakut, Bardhi: Rama, përgjegjës për kriminalizimin e qeverisë vendore e lokale

“Agim Kajmaku do të ishte ende në detyre nëse PD nuk do të kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale” Kështu është shprehur Gazment Bardhi në një reagim për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës.
Në një postim në Facebook Bardhi akuzon kryeministrin Rama se sipas tij ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sipas Bardhit vettingu duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largimin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës.
“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij.
Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve.
Që nga muaji Tetor 2021 Edi Rama ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sot më shumë se kurrë ajo iniciativë duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largmin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës.”, shprehet Bardhi.
/rtsh.al/