Arrestimi i autorit të ngjarjes në Dhërmi, Balla: Përgëzime Policisë për hetimet e deritanishme

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Dhërmi, duke çuar edhe në arrestimin e autorit, i cili ishte në Greqi dhe po tentonte të udhëtonte drejt Anglisë.
Sipas Policisë, në orët e para të së enjtes, shtetasi Eraldo Nevruzi është qëlluar me armë zjarri në hotelin ku ishte recepsionist. Pas hetimeve, Policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Gerald Shehu. Ky i fundit u ndalua nga autoritet greke, ndërsa tentonte të udhëtonte drejt Anglisë. Po ashtu, Policia bën të ditur se ende nuk e ka gjetur vendndodhjen e trupit të Eraldo Nevruzit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, përgëzoi Policinë e Shtetit për zbardhjen në një kohë të shpejtë të ngjarjes.
“Zbardhja në një kohë sa më të shpejtë e ngjarjeve kriminale, gjetja dhe ndalimi personave të dyshuar si autorë apo të përfshirë në këto ngjarje, janë një sprovë e rëndësishme e performancës së Policisë. Përgëzime Policisë së Shtetit për hetimet e deritanishme lidhur me një ngjarje kriminale në Dhërmi, ndalimin e një personi të dyshuar në një aeroport të një vendi fqinj. Do të punojmë me autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi për përballjen sa më parë me drejtësinë të personit të dyshuar”, thekson Balla.
/a.f/r.e/