E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i ish-ministrit peruan

Mediat peruane shkruajnë se është arrestuar në Shqipëri nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve Manuel Augusto Blacker Miller ish-ministri i Jashtem i ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992.

Gazetat e vëndit amerikano-latin nuk citojnë burimin e këtij lajmi, por vetëm arrestimin duke e veshur me mister këtë ngjarje. Misteri i këtij lajmi shtohet akoma më shumë, pasi  burime zyrtare nga Ministria Brendshme i thanë Top-Channel se lajmi nuk është i vërtetë dhe se Interpol Tirana s’ka arrestuar ndonjë person me këtë emër.

Sakaq deputeti socialist Erjon Braçe në faqen e tij në Facebook akuzon direkt  kryeministrin Berisha së është përfshirë në mbrojtjen e ish-ministrit të jashtëm të Perusë. Madje sipas Braçes kryeministri Berisha e ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur e ka mbështetur dhe i ka ngritur dy biznese dy hapa larg selisë së qeverisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për deputetin Braçe mohimi arrestimit të Miller në vendin tonë, lidhet pikërisht me mbrojtjen e drejtëpërdrejtë që gëzon ky person nga kryeministri Sali Berisha. Erjon Braçe në Facebook shkruan se ka prova që faktojnë lidhjet e Manuel Augusto Blacker Miller me qeverinë shqiptare.

“Më 28 Korrik 2012 , ish-ministri i Jashtëm i Perusë, i kërkuar nga Interpoli ka krijuar në Tiranë kompaninë e tij Apollonia Investments, ku Miller zotëron 80% të aksioneve”.
Po sipas deputetit socialist fusha e investimit të Manuel Augusto Blacker Miller lidhet me ngritjen e një impianti për djegien e mbetjeve në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në Qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë e Fierit.

Braçe më tej sqaron se impianti ka kapacitetin e një përbindeshi dhe do të furnizohet nga importi i plehrave, por ndërtimi i impiantit është penguar nga rezistenca e këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe nga deputetët socialistë në atë qark.

Sipas Braçes, ish-ministri peruan, të pakten deri në fund të vitit që shkoi, ka qenë në Shqipëri.

Reagon Kryeministria: Shpifje!

Pas deklarimeve të deputetit Braçe reagoi këshilltarja e kryeministrit, zonja Suzana Guxholli e cila thotë se  mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik lidhur me arrestimin nga Policia e Tiranës të Manuel Augusto Blacker Miller, ish-minister i Jashtëm i Perusë i kërkuar nga Interpoli.

Kompania në fjalë në mënyrën më këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe sms, thotë zonja Guxholli.

Më tej ajo sqaron se nëpërmjet letrave dhe mesazheve këmbëngulëse të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie.

“Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka mëse dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit. Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›