E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestimi i ish-policit në Beograd, Kurti: Nuk do pranojmë sjellje jonormale të Serbisë, po punojmë për lirimin e tij

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për arrestimin e ish-policit Arbnor Fatmir Spahiu nga autoritetet serbe.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti e konsideron arrestimin e Spahiut në pikën kufitare Hungari-Serbi si një sjellje jonormale nga ana e Beogradit dhe se sipas tij, nuk do lejohet normalizimi i kësaj situate.

Kurti garanton se institucionet në Kosovë janë angazhuar maksimalisht që ish-polici Spahiu të lirohet sa më parë.

“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë.

Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, shkruan Kurti.

Në lidhje me arrestimin e ish-policit ka reaguar edhe Ministria e Punëvetë Jashtme, e cila përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe të gjithë trupin diplomatik në Kosovë.

Po ashtu, ministria ka bërë me dije se përfaqësuesi i Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së ambasadorit Jetish Jashari tek Spahiu në Qendrën e paraburgimit në Suboticë dhe vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›