E Martë, 3 Nëntor 2026

Arrestimi i zyrtarëve të Bashkisë, Alimehmeti dhe Zhulali kërkesë për mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak

Disa ditë pas arrestimit të 3 ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, si dhe pak minuta pas protestës së mbajtur para kësaj bashkie nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit dhe opozita shqiptare, Ilir Alimehmeti dhe Ilda Zhulali, kanë kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak.

Dy anëtarët e Këshillit Bashkiak në një letër drejtuar Kryetares së Këshillit Drejtues Romina Kuko, sekretarit të këtij këshilli, Behar Zenelit, dhe për dijeni të Kryebashkiakut Erion Veliaj si dhe Prefektit të Qarkut Tiranë, Afrim Qëndro, kërkojnë zhvillimin urgjent të mbledhjes së Këshillit në lidhje me atë të cilën e cilësojnë si skandalin e vënies para përgjegjësisë penale të 9 zyrtarëve të Bashkisë të akuzuar për korrupsion, pastrim parash, shkelje barazie në tenderat publike.

“Kërkojmë zhvillimin e një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak Tiranë, për shkak të skandalit të vënies përpara përgjegjësisë penale të 9 zyrtarëve të lartë drejtues të Bashkisë Tiranë, të akuzuar dhe arrestuar për korrupsion, pastrim parash, shkelje barazie në tenderat publike”, thuhet në letër.

Protesta  e sotme para bashkisë së Tiranë për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, erdhi pak ditë pas arrestimit të 3 ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ky i fundit i arrestuar më herët edhe për dosjen e inceneratorëve, për abuzim me tendera duke favorizuar kompaninë “5D” që vetë drejtonin. Gjithashtu 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.

SPAK pretendon se pronarë indirekt të kësaj kompanie janë dy ish- drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato dhe kjo kompani rezulton të ketë fituar miliona lekë në tenderat nga institucionet që vetë drejtonin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›