Arrestohen për grabitje me dhunë dy policët në Tiranë, ndalonin të rinjtë te liqeni dhe iu merrnin paratë (Emrat)

Dy punonjës të policisë në Tiranë janë arrestuar për grabitje me dhunë.
Bëhet fjalë për punonjësin e patrullës në komisariatin nr1, Serxhio Cani 22-vjeç dhe punonjësin e policisë bashkiake, Saimir Muzikanti 39-vjeç.
Të dy këta punonjës vepronin në zonën e Liqenit Artificial ku grabisnin me dhunë të rinj që shisnin doza te vogla lëndësh narkotike, dhe i lidhnin me pranga që ngjarja të dukej zyrtare.
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë Rajonale të AMP-së, ndaluan shtetasit:
– S. M., 39 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Bashkiake dhe S. C., 22 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1, të dy shtetasit banues në Tiranë.
Këta shtetas dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, i kanë marrë me forcë, një shumë parash, shtetasve F. V., dhe F. D., në zonën e liqenit artificial, të cilët kanë depozituar kallëzim në Komisariat.
Pas punës hetimore të kryer është bërë e mundur dhe zbardhja e ngjarjes dhe vënia në pranga e 2 shtetasve të mësipërm.