Arrestohet autori i vrasjes së 39-vjeçarit në Dojan, Tropojë

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Një 33-vjeçar u arrestua nga policia, pasi vrau me armë zjarri dy ditë më parë një shtetas në fshatin Dojan, Tropojë.
Strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe ato të Komisariatit të Policisë Tropojë, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit F. M., 33 vjeç, banues në Bajram Curri.
Sipas policisë, 33-vjeçari u lokalizua në një banesë të braktisur, në bjeshkët e fshatit Markaj.
Shtetasi F. M., dyshohet se më datë 22 nëntor në fshatin Dojan, vrau me armë zjarri shtetasin A. D., 39 vjeç.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
/k.s/j.p/