Arrestohet efektivi i Policisë në Durrës / Procedohen dy të tjerë

Një operacion i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka çuar në arrestimin në flagrancë të një punonjësi policie dhe procedimin në gjendje të lirë të dy efektivëve të tjerë, të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Operacioni u finalizua më 15 shtator 2026, në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në pranga përfundoi efektivi S.M., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme. Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar S.H., Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Durrës, dhe A.K., Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme në të njëjtin komisariat.
Të tre punonjësit dyshohen për vepra penale që lidhen me korrupsionin pasiv dhe shpërdorimin e detyrës. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, e cila do të vijojë hetimet dhe veprimet e mëtejshme sipas ligjit.