Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe dy persona të tjerë.
SPAK me anë të një reagimi ka bërë me dije se në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, është kryer arrestimi i ish-ministrit Ilir Beqaj.
Arrestimi i Beqajt është kryer nga Policia e Tiranës.
“Sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK thekson se, në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I. B. në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit.
Ndërkohë, ish-ministri i shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
SPAK njoftoi edhe zbatimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” edhe për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për dy persona të tjerë nën hetim, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim.
Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.
Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj.