E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Brazil 39-vjeçari i kërkuar për trafikimin e 240 kg kokainë

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese të disa shteteve, kanë finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke arrestuar në Brazil një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe Interpolit në Brazil, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit E. M., 39 vjeç, i cili fshihej në qytetin Ilha Bela dhe përdorte dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.

Ky shtetas dyshohet si pjesëtar dhe koordinator i një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende të Europës, i përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Hetimet e SPAK, të zhvilluara në vitin 2023 në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë, Brazilit dhe Kolumbisë, kanë dokumentuar se 39-vjeçari dyshohet se ka koordinuar veprimtarinë kriminale për trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë, të kryer më 29 shtator 2020.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal janë hetuar edhe disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri, si dhe aktiviteti i një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në disa shtete.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet braziliane për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›