E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestohet në Luksemburg i kërkuari nga Shqipëria, pritet ekstradimi

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar nga Policia e Shtetit pas një operacioni të zhvilluar në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Policia njofton se “si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.

Policia njofton se është arrestuar në Luksemburg Edison Pula, i shpallur në kërkim nga Shqipëria dhe i dënuar me 14 vite burg.

“Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit,” njofton Policia.

Më tej, njofton Policia “gjatë këtij operacioni, në bazë të një urdhër arresti europian, të lëshuar nga autoritetet franceze, u vu në pranga shtetasi A. S., 31 vjeç”.

Zyrat homologe të Interpolit po vijojnë bashkëpunimin, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›