Arrestohet në Rumani influencuesi në mediat sociale, Andrew Tate, akuzohet për trafikim qëniesh njerëzore dhe përdhunim

Influencuesi në mediat sociale, Andrew Tate është arrestuar në Rumani, si pjesë e një hetimi për trafikim të qënieve njerëzore dhe përdhunim. Ai dyshohet se mbajti gjashtë gra në ‘arrest shtëpie si të burgosura’, duke i detyruar ato të merrnin pjesë në video pornografike në internet.
“Abuzimi ishte fizik dhe emocional. Ato nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia dhe vëzhgoheshin ditë- natë. Ato në thelb mbaheshin nën arrest shtëpiak 24/7, si të burgosura. Atyre iu hoq liria dhe u përndoqën kudo”,- tha një burim gjyqësor rumun.
Prokurorët pretendojnë se Tate i rekrutoi gratë në platformat e mediave sociale, duke i joshur ato me deklarata të rreme dashurie dhe me synimet për t’u martuar me to.
Kjo metodë e tij me emrin ‘djali i dashuruar’, përdoret shpesh nga kriminelët për të rekrutuar viktimat që janë në vështirësi ekonomike, duke i joshur me dhurata dhe premtime për një jetë më të mirë jashtë vendit.
Gjashtë viktimat u detyruan të merrnin pjesë në video në platformën për të rritur ‘Only Fans’ dhe aplikacionin TikTok. Nga këto video, 2 vëllezërit merrnin fitime marramendëse.
“Ne kemi informacion, bazuar dhe në atë që ata thanë në mediat sociale se një nga vajzat ka sjellë deri në 50,000 euro në muaj, por nuk i është dhënë asnjë para”,- tha burimi.
Gratë e mbajtura peng ishin një shtetase amerikane, një moldave dhe katër rumune. Hetuesit rumunë filluan hetimin kur ambasada e SHBA në Bukuresht ngriti alarmin, pasi diplomatët zbuluan se një grua amerikane po mbahej në qytet kundër dëshirës së saj. 22-vjeçarja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye ligjore, kishte arritur të merrte celularin dhe të telefononte të dashurin e saj në SHBA, i cili më pas lajmëroi ambasadën. Një video e bastisjes e publikuar nga policia, tregoi se se oficerët gjetën armë, thika dhe para.
36-vjeçari u arrestua me vëllain e tij Tristan, 34 vjeç, së bashku me asistentet e tyre Georgiana Naghel dhe Luana Radu në vilën e tyre prej 600 mijë paund në kryeqytetin rumun, Bukuresht. BBC
/rtsh.al/