Arrestohet në Tiranë 35-vjeçari i kërkuar nga Italia për trafik droge, pritet ekstradimi

Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Bëhet fjalë për A. S., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet si pjesëtar i një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Penale e Peruxhias, Itali, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë lokalizuar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kanë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali” , thuhet në njoftimin e policies.
Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
/rtsh.al/