E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Arrestohet organizatori i sulmeve ndaj KFOR-it, lëndohen tre policë! Serbët mblidhen në shenjë proteste

Policia e Kosovës ka arrestuar organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it në veri të Kosovës. Kjo ka nxitur edhe protestat e serbëve në rrugë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar Milun Milenkovic- Llune, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë operacionit anë sulmuar edhe tre zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Republika nuk do të zmbrapset” ka shkruar me këtë rast zoti Svelça në rrjetet sociale, ndërsa shton se koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar.  

“Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë. Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.Republika nuk do të zmbrapset”, shkruan Sveçla.

Pas arrestimit të organizatorit të dhunës në veri ka shkaktuar reagimin e popullsisë serbe atje, ku një numër i konsiderueshëm janë mbledhur në rrugë në shenjë proteste.

Protestuesit serbë vijojnë të qëndrojnë ende edhe para objekteve komunale, por situata vijon të jetë e qetë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti sot një plan me 5 hapa që do të sillte uljen e tensioneve në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në plan përfshihej edhe dënimi i autorëve që sulmuan forcat e KFOR-it në veri, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për 4 komunat dhe ulja në tryezën e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›