E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet zjarrvënësi në Finiq! Përmirësohet situata, vetëm tri vatra aktive në vend

Një 20-vjeçar është arrestuar në fshatin Sopik të Finiqit, pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarr në fushën e sportit të fshatit në datën 18 gusht, duke djegur një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre.

Policia e Sarandës identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar, Aristidh Papa.

Falë ndërhyrjes në kohë të banorëve të zonës, u shmang përhapja e mëtejshme e flakëve dhe rreziku i dëmeve më të mëdha.

Ndërkohë vendi ynë vazhdon të përballet me zjarret, edhe pse situata ka njohur përmirësim ditët e fundit. Ministria e Mbrojtjes raporton se tri vatra zjarri jenë  ende aktive.

Flakët vijojnë të djegin malin e Bërzhitës në fshtrat Ibë dhe Durisht në Tiranë, ku vatra është aktivizuar në një terren të vështirë dhe është thuajse e pamundur ndërhyrja nga toka.

Po ashtu, vatër aktive zjarri ka edhe në fshatrat në zonën e Pezë-Helmës, e cila po mbahet nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare.

Në parkun natyror Gërmenj në Kolonjë situata është më e qetë, për shkak të reshjeve të shiut të rëna pasditen e të hënës.

Pavarësisht përmirësimit të situatës, autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo rast emergjence.

“Si rezultat i punës hetimore dhe veprimeve të shpejta për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 20 vjeç, banues në Sopik, Finiq.

20-vjeçari dyshohet se më datë 18.08.2025, ka ndezur zjarr në fushën e sportit të fshatit Sopik, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre. Falë ndërhyrjes në kohë të banorëve të zonës, u shua vatra e zjarrit dhe u parandalua përhapja e mëtejshme e flakëve, e cila mund të sillte pasoja më të rënda.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin”, thuhet në njoftim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›