Arsimi dhe mangësitë në të gjitha hallkat e tij
Alban Nako
Nxënësit e studentët gjenden sot përballë një sistemi vlerësimi në bazë note dhe të pabarazisë së cilësisë së dijes. Në këto kushte, çdokush përpiqet për vlerësim sa më të lartë. Procesi i të mësuarit u institucionalizua duke pasur si princip krijimin e përmirësimin e ndërgjegjes së përbashkët. Sot botëkuptimi që kanë shqiptarët ka varietet, duke u lënë vend romuzeve paragjykuese e komplekseve. Produkti arsimor, për mendimin tim, në të gjitha rastet është i dështuar.
Së pari, institucioni nuk është në gjendje të krijojë një nivel bazë botëkuptimi; së dyti nuk përkrahen nxënësit e shkëlqyer; dhe së treti, nxënësit mesatarë janë harruar në hijet e institucionit, paradoksalisht kjo kategori nxënësish sot, do të jenë në administratë nesër. Në sistemin tonë arsimor ka mungesë pavarësie, kreativiteti e personeli. Ulja e performancës për shkak të fondeve nuk është justifikim. Të shkojmë në zanafillë, në institucionet parashkollore, ku formësohet qytetari i ardhshëm, në mjediset e lagështa ku hahet në 4 nga 5 ditë gjellë me presh, ku edukatoret bëjnë punë jo të paguar mirë…
Si shpëtim, prindërit rendin drejt privatit, me kushte më të mira e botëkuptim tjetër nga çerdhet shtetërore. Do të shohim dy personalitete ekstreme: të llastuar (produkt i privatit), dhe fëmijë grindavecë (produkt i shtetit). Në vite do të shkojnë në kopsht, nëse janë me fat mund të mësojnë ndonjë vjershë. Më pas nis shkolla e vërtetë, me mësuese të cilat stimulin e konceptojnë nëpërmjet dhunës e të bërtiturave, e program të ngjeshur mësimor. Kjo strukturë formëson nxënës që nuk mësojnë, sepse kanë kuptuar hilen që nota krijon statistika të rreme, që shiten si të vërteta.
Specializimi përsoset duke zëvendësuar objektin e nxënies së dijes me objekt mashtrimi, një sistem që nuk do nxënës të mirë. Çdo të ndodhte nëse ky sistem teorik do të prodhonte shumicë ekselencash, si do të përballej kërkesa e paktë me një superofertë? Misioni i vërtetë nuk është procesi i nxënies së çdo personaliteti subjektiv, por si një lojë që njeriu duhet të luajë në jetë dhe përfitimet varen nga strategjia e lojës.
Fenomeni që shfaqet më pastër është matura shtetërore. Për disa është thjesht një provim tjetër ku do të kopjojnë duke kanosur kontrollorin, duke folur në celular. Për të tjerë është një provim, ku varet e gjithë jeta e tyre, sepse i janë dedikuar shkollës dhe aty shohin të ardhmen, por duhet të presin që huliganët të lënë një vend bosh. Ky është institucioni që ka pësuar një krizë psikike duke zhvendosur objektin e vetë ekzistencës së saj, duke u mbarsur çdo vit e duke dështuar mbas 9 muajsh.