Arsimi profesional i preferuar – Në Shkollën “Arben Broci” deri tani janë regjistruar mbi 100 nxënës

Një vit i mbarë shkollor pritet të nisë në shkollën teknike “Arben Broci”. Interesi i të rinjve për t’u regjistruar në këtë shkollë, është në rritje krahasuar me një vit më parë thotë për Televizionin Publik Shqiptar drejtori Zamir Laçej.
“Deri më sot kemi 108 regjistrime, ku më shumë janë nga Shkodra dhe më pas nga Malësia e Madhe dhe Puka”, tha Laçej.
Dega e mekanikës dhe shërbimit të automjeteve, vazhdojnë të jenë të preferuarat e atyre që zgjedhin.
“Kohët e fundit dy janë drejtimet kryesore që preferohen, shërbimet motorist dhe elektroaut dhe mekanika ka rritje të konsiderueshme. Problematik sot është ndërtimi, një degë që nuk vlerësohet aq sa duhet”, tha ai.
Nga viti në vit, arsimi profesional po bëhet përherë e më shumë zgjedhje e të rinjve. Mundësia e punësimit në ato që konsiderohen zanate të rëndësishme si mekanik, elektricist apo hidraulik, duket se kanë ndikim në përzgjedhjen e bërë.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/