Arsimi profesional, një kombinim i mirë midis njohurive teorike dhe praktikës

Në ambientet e Shkollës Profesionale Shërbime Korçë, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi një takim informues mbi mundësitë që ofron arsimi profesional.
Të pranishëm në aktivitet ishin nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit, prindër, mësues, si dhe përfaqësues të bizneseve lokale, të cilët u njohën më nga afër me ofertat arsimore dhe praktikat që shkolla profesionale ofron.
Ardi Karanxha, koordinator i COD Korçë, u shpreh se ky bashkëpunim synon të krijojë ura komunikimi midis shkollave, familjeve dhe tregut të punës.
“… ka si qëllim promovimin e arsimit profesional në kuadër të ekonomisë së sotme të tregut, që është një ekonomi kryesisht e bazuar te turizmi, duke qenë se jemi një vend me sipërfaqe të vogël, por me vlera dhe pasuri natyrore shumë të mëdha. Ai vjen në formë informuese për nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit, në mënyrë që ata të kenë një mundësi për t’u orientuar dhe për të bërë një zgjedhje më të përshtatshme me ekonominë e tregut dhe me kërkesën e shoqërisë,” u shpreh z. Karanxha.
Ndërkohë, Tatjana Mero, drejtoreshë e Shkollës Profesionale Shërbime, theksoi se shkolla ofron një kombinim të mirë midis njohurive teorike dhe praktikës reale në bizneset partnere.
“Një nga avantazhet kryesore është që në arsimin profesional, nxënësi mëson duke punuar. U krijohen hapësira pa fund të punojnë në biznese, të marrin profesionin, të zhvillojnë praktikat dhe më pas të punësohen, që më pas të punësohen dhe të krijojnë një të ardhmen për veten dhe familjen e tyre. U krijohen të gjitha mundësitë që me njohuritë që marrin, ta gjejnë vendin në tregun e punës kudo ku shkojnë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit; të krijojnë eksperienca pune në të gjitha rastet kur shkolla ka bashkëpunime edhe me të huaj,” tha drejtoresha e shkollës, znj Mero.
Ky takim synon të rrisë ndërgjegjësimin për arsimin profesional si një zgjedhje dinjitoze dhe e suksesshme për të ardhmen.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/