Arsyeton vrasjen e ambasadorit

Në të vërtetë, gjatë javës, lideri i Partisë Komuniste të Rusisë, Gennady Zjuganov, në profilin e tij zyrtar në Twitter postoi se, ambasadori amerikan, Christopher Stevens, "është vrarë si qen”, derisa ka nënvizuar edhe atë se, ai “ka korrë atë që e kishte mbjellë”.
Zyrtarët amerikanë u shokuan nga këto komente, sepse deri më tani Zjuganov kishte kontakte të afërta me Ambasadën e SHBA në Moskë. Natyrisht, kjo gjë nuk vlen më.
Në ndërkohë, bashkëpunëtorët e Zjuganov deklaruan se profili i tij menaxhohej nga një anëtar i partisë i ngarkuar me mediat, megjithëse ky i fundit pohon se vetëm ka postuar deklaratat e shefit të partisë - fjalëpërfjalshëm.
Pasi që gjithçka doli në publik, vetë Zjuganov deklaroi se fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti nga ana shërbimit për media. Sipas tij, vërejtjet e tij ishin shumë më të gjata, por shërbimi i ka nxjerrë vetëm dy tri frazat më të ashpra.
Mirëpo, Zjuganov nuk u tërhoq krejtësisht nga teza e tij, gjegjësisht nga këndvështrimi i tij më i gjerë ndaj situatës. Gjatë një konference për shtyp, ai theksoi se përzierja e vendeve anëtare të NATO’s në punët e brendshme të shteteve tjera rezultoi me atë se bota tani ndodhet para një lufte të madhe.
"Tërë Afrika Veriore, Lindja e Mesme, dhe Siria, janë shndërruar në një kaos të përgjakshëm”, tha Zjuganov.
Ai po ashtu tha se, asnjë njeri normal nuk mund të jetë lumtur me eskalimin e dhunës në këto shtete, por shtoi edhe atë se, politika amerikane e ndërhyrjes është “thyer mbi kokën e SHBA’ve”.
"I njëjti ambasador mori pjesë në fushatën ushtarake kundër udhëheqësisë libiane, duke dhënë instruksione dhe mjete financiare, përderisa bombarduesit e NATO’s vendin e shndërruan në një rrënojë”, u shpreh Zjuganov.
Sipas tij, komenti “u vra si qen” ishte një referencë për Gaddafin, të cilën iu desh ta përdorte për të treguar se si mospërfillja amerikane e traditës myslimane tani është kthyer kundër ambasadave dhe diplomatëve të SHBA.
"Gjithë kjo barbari e dhunë janë për keqardhje. Por, ne duhet të dimë se gjithnjë e korrim atë që e kemi mbjellë. Ky është thelbi i deklaratave të mia”, përfundoi shefi i Partisë Komuniste të Rusisë.