E Hënë, 2 Nëntor 2026

Art nga riciklimi, ekspozitë unike nga Amantia Rrokaj me punime nga materiale të riciklueshme

Në ambientet e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” në Korçë, u çel ekspozita me punime të realizuara nga artistja Amantia Rrokaj, e cila jeton dhe krijon në diasporë.

Punimet e saj të veçanta, të përpunuara me materiale të riciklueshme, sollën një frymë të re krijimtarie dhe një mesazh të fortë për ndërgjegjësimin mjedisor dhe ruajtjen e lidhjes me rrënjët.

“Punimet e mia përmbajnë figura të ndryshme, kafshë e të tjera. Punimet janë bërë me mjete të riciklueshme të ndryshme. Një vepër nuk  mund të përsëritësh përsëri pasi njëherë bie në dorë ato mjete. Mënyra e krijimit të tyre është e veçantë nga njëra-tjetra”, tha Rrokaj.

Artistja ka hapur edhe më parë ekspozita me punimet e saj, por siç thekson ajo, emocionet në atdhe janë të papërsëritshme.

“Ekspozita e parë ka qenë në Sarandë. Kam bërë në Shqipëri 3 ekspozita. Janë shumë të rëndësishme pasi  nuk është vetëm të reklamosh punën, por është shoqëria, njerëz të rinj, qytete të reja. Të vija në Korçë ishte vërtet shumë e bukur”, u shpreh ajo.

Ekspozita ishte pjesë e aktivitetit “Liter-Art”, të organizuar nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko” dhe Shoqata Kulturore “Korça”, në kuadër të nismës “Diaspora në Atdhe – Kur fjala kthehet në Art”, që synonte të promovonte shpirtin krijues të shqiptarëve të diasporës dhe të forconte urat kulturore mes tyre dhe atdheut.

Gazetare: E. Fili  

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›