Artan Hoxha replikon me deputetin socialist: Braçe, pusho
Analisti Artan Hoxha ka reaguar ndaj deputeti socialist, Erion Braçe, i cili deklaronte dy ditë më parë se do të kërkojë transparencë për qindra mijëra euro e fituara, si dhe faktin që e cilësonte atë si lapërdhar. Me anë të një shkrimi për gazetën TemA, Hoxha i përgjigjet deputeti socialist për akuzat.
Nga Artan Hoxha
Deputeti socialist Erion Braçe reagoi përmes Facebook ndaj shkrimit tim lidhur me SHQU-P botuar në gazetën Panorama më 22 gusht, reagim të cilin e kishte përcjellë edhe gazeta Tema e në të cilin Braçe më cilëson lapërdhar duke cituar edhe kuptimin e kësaj fjale pra Njeriu që thotë fjalë të pahijshme a të ndyra, gojëndyrë, gojëlëshuar; i pacipë; që sillet në mënyrë të ulët e të pamoralshme e njëkohësisht, Braçe angazhohet duke më thënë Artan, një gjë ta premtoj që sot: Do jem në Kuvend edhe për të verifikuar deri më një ligjbërjen me para, duke i treguar publikut të gjitha ligjet e vendimet klienteliste për të cilat janë shpenzuar qindra mijë euro. Reagimin e plotë të tij mund ta lexoni në Gazeten Tema ose në Facebook.
Mesa duket Braçe e ka marrë si personale termin lapangjoz të përdorur nga unë në atë shkrim, e ka ndjerë thellë, dhe nuk i mbajtën nervat e reagoi në përmbajtje, në stil e në atë mënyrë që veçse e ndihmon vërtetimin e tezes sime të trajtuar në shkrimin në fjalë.
Lapërdhari dhe lapangjozi
Në jetën publike shumë të shajnë e shumë të lavdërojnë. Këto nuk më kanë ngacmuar ndonjëherë. Kur më shajnë lidhur me një defekt që e di që e kam nuk ka arsye të ofendohem e kur më shajnë për një defekt që nuk e kam përsëri ska arsye të ofendohem.
Kjo vlen edhe për termin lapërdhar pasi, sipas kuptimit të termit, unë, në gjithë këto vite aktive publike do të duhej të isha shquar për përdorime termash apo sjelljeje të shthurur. Jo vetëm që nuk e kam bërë por kam qenë i qetë e i mirësjellë edhe në situata tejet provokative.
Term disi të rëndë mund të kem përdorur veç dy herë e një prej këtyre është termi lapangjoz, i përdorur për herë të parë nga unë një javë pas kandidimit për President dhe vetëm pasi verifikova e lexova çkishte shkruar Sigurimi i Shtetit për mua e që, në fakt, kishte pranuar se nuk iu kisha shërbyer e ndaj, siç më kishin regjistruar, në shtator 1981, si bashkëpunëtor, pa miratimin e dijeninë time, ende pa mbushur 17 vjeç, e po kështu më kishin përjashtuar, natyrisht pa dijeninë time, në dhjetor 1982, me motivacionin inaktiv…nuk ka dhënë asnjë material… e, paskëtaj, pak muaj më vonë, regjimi nuk më dha as medaljen e artë dhe as të drejtën e studimit për biografi e ndoshta, edhe për shkak të këtij refuzimi për bashkëpunim, ngjarje kjo që më ka shërbyer për forcimin e karakterit dhe pjekurim më të shpejtë.
Për të gjithë atë ngjarje lidhur me zgjedhjen e presidentit kam shkruar dhe cilido që dëshiron mund ta lexojë në gazetën Panorama, por me atë term, pra një viti, nuk kam patur parasysh as Erion Braçen, as Saimir Tahirin as ndonjë politikan tjetër pasi, për mua, këta thjesht kryenin një detyre partie në një proces politik me interesa të kundërta dhe supozoja se nuk i dinin faktet, çështjen e kishin me të dëgjuar e, atë ditë, gjithkush luajti lojën e tij ndërsa unë ndoqa, me vullnet të lirë, rrugën time.
Termi ishte për ata që e dinin të vërtetën dhe abuzonin me të. Pasi u njoha vetë dhe i dhashë mundësinë kujtdo të njihte të gjithë të vërtetën, paskëtaj, kushdo që vazhdon të njëjtin avaz, e meriton automatikisht epitetin lapangjoz. Afërmendsh, kush e ka njohur atë regjim e ka, sadopak, gjykim të shëndoshë e shpirt të dlirë do të mirëkuptonte edhe dramat e dhimbshme që njerëz të ndryshëm mund të kenë përjetuar edhe në rastet kur i kanë shërbyer nga frika, halli, terrori atij regjimi e jo më kur nuk i kanë shërbyer atij. Ndërkaq, ata që sot nuk e kanë një mirëkuptim të këtillë, e aq më shumë kur, po sot, mirëkuptojnë gjyqtarë, prokurorë, hetues e sigurimsa që paskërkan kryer detyrën ligjore sipas tyre në atë regjim gjakatar, janë lapangjozë në shkallë sipërore.
Përdorimi nga unë i këtij termi, me këtë arsyetim e në masë të kufizuar, besoj se është i argumentuar e ndaj nuk më kualifikon lapërdhar. Por po rrëfej këtu e spo e fsheh se ndjej një farë kënaqësie të lehtë kur shoh se sa fort iu cingërisen nervat, nga shkrimet e mia, kopesë së lapangjozëve.
Braçe lapangjoz
Braçen, në shkrimin tim për SHQU-P, nuk kisha fare në mendje tek pjesa për shkeljen e pretenduar ligjore të kompetencës pasi mendoj se nuk merr vesh nga ligjet. Me emër të përveçëm këtu kam përmendur vetëm Edi Ramën e në fakt as ky nuk është, me plot gojë, lapangjozi në këtë rast pasi edhe ai nuk ka haber nga ligjet po dëshiron që të ketë shkelje ligjore dhe ndonjë këshilltar ligjor mund tia ketë sugjeruar në mënyrë që ti plotësonte dëshirën shefit e një këshilltar i këtillë është lapangjoz.
Braçen nuk e kisha fare në mendje edhe tek pjesa për pretendimin e konfliktit të interesit në vendimin e Presidentit pasi Braçe, sa herë ka folur për konfliktin e interesit, ia ka myt kot e ka dështuar në akuzat e tij edhe kur prokuroria ka hetuar me zell të tepruar ca raste të referuara nga Braçe. Në këtë pjesë mund të ishte ofenduar tjetërkush, p.sh. Mero Baze, i pari që nxori tezën e konfliktit të interesit të Presidentit por Mero Baze e njeh veten që nuk është lapangjoz, e ndaj besoj se nuk e ka prishur terezinë, e unë po ashtu nuk e quaj të këtillë pasi për mua ai, në mos qoftë djalli, është pena e talentuar e tij, e për këtë është përballur me shumë kosto e pasoja pa u ligështuar, rezistencë kjo që, edhe pse dikush, përfshirë mua, mund të jetë tërësisht kundra, në përmbajtje e formë, me çshkruan a thotë Mero Baze, nuk mund të mos vlerësohet. Lapangjozët për mua janë ata që e hanë qyl nga Mero Baze, ata që marrin tezat a të dhënat e botuara prej tij dhe i qarkullojnë si të vetat.
Por, me të drejtë, ndonëse nuk e përmend me emër se nuk është i vetmi, Braçe, mesa duket, e gjen veten lapangjoz tek pjesa e shkrimit me titull Tejpamore, pasi Brace pyet me insistim duke iu drejtuar Zonjës së Parë në mënyrë vulgare me termin Grua e me pyetje që më lanë përshtypjen e mënyrës inkuizitore, të dhunshme e të pacipë të të pyeturit ku pyetja sështë gjë tjetër veçse pohimi i fajësisë së tjetrit, edhe pse me një pikëpyetje të thatë në fund, si dhe mënyra ngulmuese për ta detyruar tjetrin të pohojë fajësinë, mënyrë kjo, tipike e kohës së komunizmit, që vazhdon të përdoret edhe nga shumë të tjerë sot e që për mua janë lapangjozë.
Faleminderit Braçe