Arti del në rrugët e Shkodrës, Galeria e Arteve sjell një pjesë të fondit për vizitorët

Edhe këtë verë, fondi i Galerisë së Arteve të Shkodrës do të dalë përtej mureve të institucionit, duke u bërë i aksesueshëm për qytetarët dhe turistët përmes ekspozitave digjitale të vendosura në hapësira të ndryshme publike të qytetit.
Tablotë, të realizuara ndër vite nga emra të njohur të pikturës shqiptare, si edhe nga artistë të rinj, do të mund të shihen përmes barkodeve të shoqëruara me informacion për autorin, veprën dhe teknikën e realizimit.
“Si çdo herë, i kthehemi me të drejtë fondit të Galerisë së Shkodrës, i cili mbetet një aneks i dashur jo vetëm për publikun vendas, por është edhe një nevojë që, herë pas here, ai të dalë dhe të konsultohet. Është edhe ajo pjesë rezidente e galerisë që ka nevojë të ndiqet dhe të njihet nga vizitorët e shumtë që ndodhen në qytetin tonë”, tha Fatmir, Juka, drejtor i Galerisë së Arteve Shkodër.
Ekspozitat digjitale të këtij sezoni do të jenë një përzgjedhje veprash që pasqyrojnë bukuritë natyrore të Shkodrës, por edhe të trevave të tjera shqiptare.
Aktualisht, Galeria e Arteve e Shkodrës administron një fond prej më shumë se 800 veprash të artit pamor.
Koleksioni, që pasurohet çdo vit, përfshin punime të disa prej emrave më të spikatur të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke e shndërruar Galerinë në një prej arkivave më të rëndësishëm të trashëgimisë së artit kombëtar.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/