Arti i punimeve me dorë, artizania korçare Natasha Çapa çel ekspozitën e tretë personale

Artizania korçare Natasha Çapa ka çelur ekspozitën e radhës, duke sjellë para publikut një koleksion të pasur me piktura të qëndisura, punime me grep, çanta dhe krijime të tjera artizanale.
Ekspozita pasqyron jo vetëm talentin e saj, por edhe dëshirën për të ruajtur e përcjellë traditën e punimeve me dorë te brezat e rinj.
“Nuk dua të humbas vlerat e Korçës, dua që të gjitha gratë të paktën të punojnë. Këtë radhë kam sjellë risi – çantat, punimin e çantave. Kam sjellë përsëri pikturat që janë pjesa më e madhe e ikonave, duke filluar nga Zonja Shërmëri, nga Zoti Krisht, nga Darka Mistike. Ekspozitat vlerësohen, sepse para dy javësh isha në Tiranë ku hapa ekspozitën midis artistëve të tjerë që ishin atje dhe erdhën grupe të mëdha. Pyesni kush i ka bërë këto dhe si janë punuar me thasët.” – tha Natasha Çapa, artizane
Pikturat e qëndisura, të cilat zënë vendin kryesor në ekspozitë, janë ndër punimet më të veçanta, të cilat janë vlerësuara si të veçanta nga vizitorët e ekspozitës.
“Asha është e veçantë në punimet e saj sepse ka kohë që merret me këtë aktivitet. Ajo shpreh artin atje brenda në to, ndjesinë e brendshme, emocionin që ka për artin, për pikturën, për vendosjen e kolorit në të gjitha, për dëshirën çfarë duhej të bëj. Shumë, shumë të bukura ishin. I lumshin duart, akoma më shumë edhe ato që qenë të punuara me grep.”
Kjo është ekspozita e tretë personale e artizanes korçare, e cila prej vitesh merr pjesë edhe në panaire të ndryshme artizanale, duke promovuar vlerat e punimeve tradicionale dhe mjeshtërinë e krijuar me dorë.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/