E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistët e rinj te “Albanët”

Përveç shkollave specifike, duket se mbështetja e talenteve në shkollat e zakonshme i përket një epoke të kaluar. Në fakt vetvetiu të vijnë në mendje rrethet e artistëve, para viteve ’90… të ndarë sipas prirjeve dhe aftësive këto rrethe ishin një ndihmesë e madhe për të orientuar të ardhmen e nxënësve. Por ja që pas destabilitetit të tranzicionit, vitet e fundit duket se mbështetja e të talentuarve është kthyer në synim për mjaft shkolla. Një prej tyre është “Albanët” në kryeqytet. Njohjen me të e patëm pikërisht nga një aktivitet i madh, që patën pak ditë më parë në teatrin “Metropolitan” në Tiranë…! Nxënësit e kësaj shkolle realizonin një shfaqje artistike! Kureshtja na çoi më tej drejt saj, ku zbuluam detaje mjaft interesante. Kështu të talentuarit në kërcim, muzikë, pikturë, e sporte kanë mundësi jo vetëm të identifikohen në këtë shkollë, por të mbështeten e të zhvillohen më tepër. Në të vërtetë zhvillimi i talenteve është një nga projektet e mëdha të kësaj shkolle. Siç mësuam nxënësit të ndarë në grupe sipas prirjeve, çdo të premte grupohen dhe zhvillojnë një program të veçantë, i cili është hartuar në konsultim të gjerë me nxënësit, mësuesit dhe prindërit. “Projekti i zhvillimit të talenteve jo vetëm ka zhvilluar prirjet e nxënësve dhe ka rritur vetëvlerësimin tek ata, por edhe ka bërë që ta shikojnë shkollën si vend mësimi, edukimi, zhvillimi dhe argëtimi duke përmbushur misionin real që duhet të ketë shkolla sot”, pohon drejtoresha e kësaj shkolle, Irena Mane. Drejtuesit e këtyre lëndëve janë profesionistë të disiplinave përkatëse. Ata vijnë nga fushat e artit, ndërsa përsa i përket sportit, nxënësit mund të mësojnë dhe aktivizohen në futboll, volejboll, basketboll e shah. Përpos këtyre shkolla boton edhe një revistë mjaft cilësore të titulluar “Albanët” (sikurse edhe emri i shkollës). Kjo revistë del katër herë në vit dhe pasqyron gjithë aktivitetet artistike dhe nismat sociale që ndërmarrin vetë nxënësit në mbështetje me stafin drejtues të shkollës. Përsa i përket shkollës 9-vjeçare “Albanët” e ka filluar veprimtarinë e saj si shkolle jo-publike në vitin 2006 dhe që atëherë e deri sot, ajo ka shënuar arritje të vazhdueshme në punën e saj, duke u bërë sot faktor i rëndësishëm i arsimit jo-publik në qytetin e Tiranës. Në themel të punës së saj është formimi qytetar i nxënësve, formimi i përgjithshëm me aftësi dhe vlera për t’u përballur sa më mirë me kërkesat e kohës. Pjesë e rëndësishme e shkollës është stafi, i cili është përzgjedhur nga më të kualifikuarit në Tiranë, si dhe është trajnuar me metodat e reja të mësimdhënies, me programet e avancuara të kompjuterit, si dhe me njohjen dhe përdorimin e tabelës elektronike “Smart”, e cila tashmë nuk mungon në shkollë. Metodat kryesore të punës janë metodat e mendimit kritik me në qendër nxënësin, përdorimi i të cilave ndihmon jo vetëm në shoqërizimin e nxënësve përmes punës në grupe, por ngre në një nivel më të lartë vetë mendimin, pasi kanë në themel të punës diskutimin dhe debatin nëpërmjet argumentimit. Një formë tjetër e rëndësishme e përdorur deri tani është puna me projekte. Në këtë vit shkollor u zhvilluan 11 projekte të rëndësishme me shtrirje një-vjeçare, si projekti “Albanet lexojnë”, 3-mujore si projekti “kultura popullore shqiptare”, si dhe 2-mujore projektet në bazë klase.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›