Arvizu e Wollfath takim me Topin: Të respektohen institucionet
Situata e krijuar pas zgjedhjeve lokale në vend ka qënë në qendër të takimit të kreut të shtetit Bamir Topi me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe ambasadorin e OSBE-së Eugen Wollfarth. Sipas faqes zyrtare të presidencës Ambasadori Arvizu i shprehu Presidentit Topi gjithë mbështetjen lidhur me qëndrimet dhe apelet e tij institucionale dhe vuri në dukje se në këto kushte, nevojitet mbi të gjitha respektimi i shtetit të së drejtës, në funksion të arritjes së standardeve demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese që ato të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Pasi ndau me Ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të OSBE-së, Ëolfarth shqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje, Kreu i Shtetit shqiptar, apeloi për vetëpërmbajtje, qetësi, maturi dhe ruajtje të rendit publik dhe theksoi domosdoshmërinë se: “në këto çaste, duhet që palët politike të respektojnë institucionet, dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën.
“Shqipëria ka legjislacion, ka përvojë në trajtimin e çështjeve zgjedhore, ka të gjithë mekanizmat ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kështu që vetë institucionet përgjegjëse kanë rastin dhe detyrimin të dëshmojnë pavarësi, integritet dhe profesionalizëm në interes të qytetarëve, publikut dhe vendit” ka theksuar Topi.