Asambleja Parlamentare e NATO-s, Kosova bëhet anëtare e asociuar

PRISHTINË, 27 maj /ATSH/ Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi sot rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese, në anëtare të asociuar.
Lajmi bëhet me dije nga presidentja Vjosa Osmani në një postim në rrjetin social X.
Shumica e vendeve kanë votuar pro avancimit të statusit të Kosovës, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende të tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani falënderoi vendet anëtare që miratuan avancimin e pozitës së Kosovës dhe u shpreh se e ardhmja e vendit është në NATO.
“Ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkruan Osmani përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter).