Ashton: Mirëpresim vendimin e qeverisë shqiptare për strehimin e 210 muxhahedinëve

Pas SHBA-ve, edhe BE përgëzon vendimin e qeverisë së Shqipërisë: “Refugjatët t’i përgjigjen pozitivisht ofertës së Berishës”
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian Catherine Ashton i është bashkuar Departamentit të Shtetit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në vlerësimin që i bënë qeverisë shqiptare për ofertën bujare të strehimit të 210 muxhahedinëve. Në një deklaratë për shtyp, Ashton thotë se mirëpret vendimit e qeverisë së Shqipërisë për të strehuar 210 prej ish banorëve të kampit Ashraf, aktualisht të vendosur në kampin “Hurriya”. “Kam ndjekur këtë çështje nga shumë pranë, duke ofruar mbështetjen time të plotë për punën e bërë nga misioni i OKB-së në Irak, në veçanti nga i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm Martin Kobler drejt gjetjes së një zgjidhjeje të gjatë dhe të qëndrueshme për këtë çështje humanitare”, thotë Ashton. Sipas saj, strehimi jashtë Irakut mbetet e vetmja zgjidhje. “Sulmet e 9 shkurtit në Kampin Hurriya na kanë kujtuar se të gjitha përpjekjet duhen bërë që të garantohet vendosja e tyre në vende të tjera të treta pa vonesa të mëtejshme”, thotë Ashton. Ajo i kërkoi lidershipit të grupit të muxhahedinëve t’i përgjigjen pozitivisht ofertës së bërë nga qeveria e Shqipërisë dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive me Kombet e Bashkuara dhe UNHCR-në. “Unë e kuptoj se kjo nuk përfaqëson një zgjidhje të plotë të problemit të tyre por jam e bindur se ky është hapi i parë në drejtimin e duhur dhe meriton mbështetjen e secilit. Unë kërkoj përgjegjshmëri nga qeveria e Irakut për të garantuar sigurinë e kampeve në Ashraf dhe Hurriyu në përputhje me memorandumet e firmosura më 25 dhjetor 2011 me Kombet e Bashkuara”, thekson Ashton.
...