E Enjte, 5 Nëntor 2026

Asim Vokshi anëtar i Gjykatës së Lartë, presidenti Meta firmos dekretin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi. Kryetari i Shtetit, në datën 23 korrik 2021, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Asim Vokshi si anëtari më i ri në Gjykatën e Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Sipas njoftimit për shtyp, presidenti Meta, pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim në datë 09.07.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përmes Dekretit nr. 13188, datë 29.7.2021, ka vendosur që: “Zoti Asim Vokshi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë”.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 9 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore, të cilat dukshëm të krijojnë bindjen se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë,  duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

“Nëse KLGJ do të kishte vepruar me ritme më të shpejta në procesin e vlerësimit me pikë në këtë proces të ngritjes në detyrë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të ishte shmangur çdo dyshim se procesi i promovimit në karrierë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, është shtyrë në kohë, apo përmes ndryshimeve ligjore është deformuar, me qëllim për t’i mbajtur ata nën trysni të vazhduar deri sa të përfundonin procedurat ankimore mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021”, thuhet nw njoftimin pwr shtyp.

Mbi vonesat e pajustifikuara të KLGJ-së për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e plotë gjyqësore, si dhe lidhur me përpjekjet e mazhorancës për të shtrembëruar implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë përmes ndërhyrjeve në legjislacion për të ndikuar në pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor dhe në veçanti të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, Presidenti i Republikës, ka mbajtur qëndrim parimor, konsistent dhe në mënyrë të vazhduar përmes 9 (nëntë) akteve shkresore të bëra publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, por dhe përmes Dekretit nr. 11 797, datë 22.10.2020, për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit realizuar me ligjin nr. 118/2020, si dhe përmes Dekretit nr. 13 023, datë 14.04.2021, “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”.

Kush është gjyqtari

Asim Vokshi ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2016 u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa është angazhuar edhe në mësimdhënie si lektor në fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Gjyqtari Vokshi u hetua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit. Në seancën dëgjimore u bë me dije se atij i kishte kaluar barra e provës për të dokumentuar të ardhurat e prindërve pas përfitimit përmes dhurimit të një apartamenti 44 m2, me vlerë prej 21.350 euro.

Asim Vokshi  anëtar i Gjykatës së Lartë, Meta firmos

Vokshi rezultoi pa probleme në kriterin e figurës, ndërsa pati një përballje me vëzhguesin ndërkombëtar Theo Jacobs mbi një denoncim për një vendim që ishte prishur në Apel.

Gjyqtari mbajti qëndrim se provat e sjella prej tij kishin provuar pasurinë e prindërve, me gjithë vështirësinë për të gjetur dokumente. Ai po ashtu pretendoi se edhe pse Apeli kishte prishur vendimin e tij, ai kishte të njëjtën bindje të brendshme rreth çështjes për të cilën u denoncua.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›