Asistenca sociale nën rishikim, rekomandohet minimumi jetik dhe ndryshimi i skemës së pikëzimit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një Tryezë Konsultimi mbi draft-raportin e Kontrollit Post-Legjislativ të ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë takimit u diskutuan gjetjet e draft-raportit dhe nevoja për disa ndërhyrje të mëtejshme teknike dhe ligjore, me synim që ligji të zbatohet në mënyrë më të drejtë dhe më efektive.
“Gjithashtu, raporti nxirrte në pah një element shumë të rëndësishëm: objektivat administrative dhe strukturore, krahasuar me objektivat sociale, ishin më të realizuara, ndërsa objektivat sociale mbeteshin më pak të realizuara. Çka do të thotë kjo? A ia kemi dalë ne, nëpërmjet këtij ligji, i cili ka si qëllim parësor nxjerrjen në mënyrë të qëndrueshme të njerëzve nga varfëria”.
Një nga rekomandimet kryesore të diskutimit ishte përfshirja në ligj e minimumit jetik, si një standard i rëndësishëm për të garantuar një nivel të përshtatshëm mbështetjeje për qytetarët në nevojë.
“Dhe përcaktimi me ligj i minimumit jetik, që ka ardhur si kërkesë e vazhdueshme nga Avokati i Popullit, si dhe një analizë dhe përcaktim tashmë i përditësuar, sepse, me ndryshimin e kostove të jetesës dhe të faktorëve ekonomikë, sigurisht që ka nevojë të shohim edhe një dinamikë të re”, u shpreh Jorida Tabaku.
Në fokus ishte gjithashtu rishikimi i skemës së pikëzimit, me qëllim që kriteret e përfitimit të pasqyrojnë më saktë situatën ekonomike dhe sociale të familjeve dhe individëve në nevojë. Një tjetër çështje e ngritur ishte afrimi i shërbimeve sociale me qytetarët, përmes përmirësimit të aksesit dhe ofrimit më të drejtpërdrejtë të shërbimeve në komunitet.
/rtsh.al/